Kompania më e madhe e mediave sociale, Meta, ka shpallur një ndryshim të rëndësishëm në politikat e saj të përmbajtjes, duke vendosur të mos bashkëpunojë më me organizatat e verifikimit të fakteve në mbarë botën, shkruan Gazeta Enigma.
Në vend të kësaj, do të vendoset një sistem të ri, “njoftime të komunitetit”, ku përdoruesit nga e gjithë bota do të komentojnë dhe vlerësojnë përmbajtjet që qarkullojnë në platformat e Meta-s, si Facebook, Instagram dhe Threads.
Për këtë çështje, ka reaguar profesori në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, duke thënë se tani ‘e vërteta nuk është më objektivi kryesor’.
“Me shpalljen e politikave të reja nga Facebook, Instagram dhe Threads, e vërteta nuk është më objektivi kryesor.
Tani, e vërteta nuk përcaktohet më nga faktet, por nga shumësia dhe sasia e mendimeve për një çështje.
Duke folur figurativisht, përjashtimi i verifikuesve të fakteve nga platformat e Meta-s është si një shpërthim i së vërtetës në copëza — të pakuptueshme për publikun. Është njësoj si shpërthimi i një granate, copëzat e së cilës nuk mund të rikthehen më për t’u ribërë granta-e vërteta.
Me gjase, edhe zyrtarisht po hyjmë në kulmin e epokës së pas të vërtetës, që D’Ancona i ka lënë emrin ‘post-truth'”, ka shkruar ai.