Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës ndër 601 më të mirët në botë

Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës ndër 601 më të mirët në botë

Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës (UP) është renditur ndër 601 institucionet më të mira në botë në fushën e edukimit, sipas rangimit prestigjioz të platformës ndërkombëtare Times Higher Education.

Ky sukses vjen si rezultat i përkushtimit afatgjatë dhe veprimeve strategjike të këtij institucioni, duke shënuar një moment të rëndësishëm edhe për vetë Universitetin e Prishtinës, i cili është renditur në kategorinë 1500+.

Dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. Blerim Saqipi, theksoi se ky arritje është fryt i angazhimit të vazhdueshëm, duke veçuar disa faktorë kyç që kanë ndikuar në suksesin e rangimit: rritja e fondeve të jashtme të gjeneruara gjatë pesë viteve të fundit, përfshirja aktive në bashkëpunime ndërkombëtare, përmirësimi i raportit staf–student nga 1:52 në vitin 2020 në 1:25 në vitin 2024/2025, si dhe rritja e publikimeve shkencore dhe angazhimi i ngushtë me sistemin shkollor.

Në kuadër të përpjekjeve për ndërkombëtarizim, Fakulteti ka lansuar programin e doktoratës me diplomë të dyfishtë në partneritet me Universitetin e Lubjanës, që zhvillohet në gjuhën angleze. Gjithashtu, është evidentuar që Fakulteti ka performuar më mirë në sigurimin e fondeve të jashtme, krahasuar me njësi të tjera akademike brenda UP-së.

“Ne jemi të vetëdijshëm që përmirësimi i cilësisë së mësimdhënësve është një proces i gjatë, por jemi të përkushtuar që përmes planeve të qarta dhe menaxhimit të duhur të resurseve, të ndikojmë në cilësinë e arsimit dhe të diplomuarve tanë”, deklaroi dekani Saqipi.

Rangimi Times Higher Education është një ndër më të njohurit dhe më të besuarit globalisht në vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë, duke u bazuar në kritere si: cilësia e mësimdhënies, hulumtimi, ndikimi ndërkombëtar dhe lidhja me industrinë. Më shumë se 2,000 universitete nga mbi 115 vende marrin pjesë në këtë rangim çdo vit.

Related Articles