Një familje në Britaninë e Madhe po detyrohen të lahen vetëm një herë në javë në përpjekje për të kursyer energjinë elektrike.
Standardet e jetesës atje janë aktualisht më të vështirat në 40 vjet për shkak të rritjes së inflacionit, luftës në Ukrainë dhe rritjes së kostove të ushqimit.
Familja Atmane nga South West, Londër, thotë se kostoja e jetesës pas pandemisë e ka bërë jetën jashtëzakonisht të vështirë.
Në familje janë katër persona, nëna Zahia Atmane, dy vajzat e saj adoleshente dhe bashkëshorti i saj.
Zahia tha se ata mund të përballojnë vetëm artikujt ushqimorë bazë, shkruan The Independent.
“Është një presion i madh për ne veçanërisht kur ke fëmijë. Ne përpiqemi ta përballojmë dhe menaxhojmë këtë krizë, por çmimet po bëhen çdo ditë e më të shtrenjta”, u shpreh ajo.
Zahia tha se burri i saj humbi punën në një restorant gjatë pandemisë dhe që atëherë e kanë pasur shumë të vështirë jetesën.
Për të menaxhuar shpenzimet dhe për të ulur faturat e energjisë, familja ha ushqim të kufizuar dhe bëjnë dush vetëm një herë në javë.
“Ne reduktojmë shumë gjëra si blerja e rrobave, blerja e shampos ose sapunit. Ka qenë shumë e vështirë për fëmijët, veçanërisht me këtë moshë ata kërkojnë shumë gjëra të cilat unë përpiqem t’ua shpjegoj gjatë gjithë kohës”, u shpreh Zahia.
Tutje, nëna e dy fëmijëve tregoi gjithashtu se familja po kalonte edhe depresion për shkak të kësaj situate.