Në Pallatin e Kongreseve po zhvillohen homazhet për nder të gjykatësit Astrit Kalaja, të vrarë të hënën në sallën e gjyqit.
Familjarë, kolegë e politikanë po i japin lamtumirën e fundit gjykatësit të Apelit. Homazhet do të zgjasin deri në orën 11:00, ndërsa në orën 16:00 është parashikuar edhe funerali, që do të zhvillohet në Shkodër, raporton A2 CNN,
Në homazhe morën pjesë kryeministri shqiptar, Edi Rama, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, deputeti i PD dhe ish-prokurori Arjan Ndoja dhe të tjerë.
Kalaja u vra në sallën e gjyqit ditën e hënë, pasi po jepte një vendim për një çështje pronësie. Për ngjarjen u arrestua Elvis Shkambi, 30 vjeç, i cili ishte pjesë në proces. Ai gjithashtu plagosi Rakip dhe Elvis Kurtajn, palë kundërshtare në proces.
Policia arrestoi edhe xhaxhain e Elvisit, Gjon Shkambin, i cili ishte i pranishëm në sallë kur ndodhi vrasja. Gjithashtu u arrestua edhe roja i sigurisë në Gjykatën e Apelit, Banush Koxhaj, i cili akuzohet se ka lejuar Shkambin të futet në gjykatë me armë, pa i kryer kontrollet e duhura.