Familjarët e të miturit kanë deklaruar jashtë kamerave se djali i tyre 12-vjeçars, ka qenë i shëndetshëm dhe nuk kishte pasur probleme shëndetësore më parë.
Ata shprehen se djali ishte aktiv dhe merrej me aktivitete sportive.
”Në fund të dhjetorit, djali ishte dërguar në spitalin e Korçës me simptoma të gripit, përfshirë të vjella dhe temperaturë të lartë, dhe ishte trajtuar në reanimacion”.
Pas përkeqësimit të gjendjes, ditën e martë ai ishte transportuar me urgjencë në spitalin e Tiranës, ku ishte shtruar në pavionin e Covid-it, ndërkohë që familjarët kishin kërkuar që ai të ndiqej në reanimacion.
Sipas euronews.al, ata shpjegojnë se, pasi djali kishte filluar të kishte të vjella të pandërprera, kanë komunikuar shqetësimin e tyre me infermieren. Familjarët theksojnë se djali është trajtuar siç duhet në spital.
Prindërit pohojnë se në një moment 12-vjeçari kishte shtërnguar fort gjoksin dhe gjatë kohës që po e shoqëronin në urgjencën pediatrike ai ka ndërruar jetë në krahët e tyre.
Mjekët i kanë komunikuar familjes se djali kishte pësuar arrest kardiak. Ata janë të tronditur dhe shprehen të shqetësuar nëse një virozë mund të ketë shkaktuar vdekjen e të birit, pasi ai nuk ka vuajtur kurrë nga problemet me zemrën.
Familjarët gjithashtu njoftojnë se gjatë ditëve të fundit, niveli i sheqerit në gjak të djalit kishte arritur deri në 200.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes dhe ka marrë dëshmitë e familjarëve.