Kandidai i LVV-së për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka njoftuar se do të dorëzojë padi penale ndaj disa figurave publike dhe gazetarëve, për siç thuhet, përfshirje në manipulimin dhe ndikimin e paligjshëm në rezultatin e zgjedhjeve në Mitrovicën e Jugut.
Sipas deklaratës së tij, padia do të ngritet ndaj Baton Haxhiut, Berat Buzhalës, Lirim Mehmetajt, Ilir Mirenës, Valon Sylës, Ermal Pandurit, Valon Fekës, Shkumbin Kajtazit dhe të tjerëve, shkruan Gazeta Enigma.
Postimi i plotë:
Padi penale
Të nderuar qytetarë të Mitrovicës dhe të Kosovës.
Pas analizës së thellë të procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut dhe shqyrtimit të dëshmive e argumenteve të manipulimeve dhe ndikimit të palejueshëm e kriminal në votën e qytetarëve, njoftojmë opinionin se do të dorëzojmë padi penale ndaj personave të mëposhtëm:
Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Lirim Mehmetaj, Ilir Mirena, Valon Syla, Ermal Panduri, Valon Feka, Shkumbin Kajtazi dhe të tjerë për dyshimin e bazuar të Cenimit të Përcaktimit të Lirë të Votuesve, të sanksionuar me nenin 210 dhe të Falsifikimit të Rezultateve të Votimit sipas nenit 216 të Kodit Penal të Kosovës.
Ndërkohë që institucioneve të drejtësisë iu bëjmë thirrje për trajtim urgjent, të drejtë dhe meritor të këtyre krimeve, gjatë ditëve në vijim do të paraqesim edhe fakte, argumente e dëshmi të tjera, të bazuara në deklarimet e qytetarëve dhe entiteteve të tjera.
Gjatë fushatës zgjedhore, e veçanërisht gjatë ditës së zgjedhjeve, pa pritur, ashtu siç e përcakton Ligji për Zgjedhjet, të përfundojë procesi zgjedhor, disa “”medie“ dhe individë të lidhur me grupe të jashtëligjshme interesi, gjatë tërë ditës kanë ndërmarrë veprime të sinkronizuara – përmes shpifjeve, linçimeve, akuzave të rreme, numrave të manipuluar e duke kulmuar me publikimin e të ashtuquajturve “exit poll” të paligjshëm, që shumë shpejt u dëshmua që jo vetëm që nuk e pasqyrojnë aspak vullnetin real të votuesve në Mitrovicë, por madje qëndrojnë shumë larg. Qëllimi i vetëm i këtyre veprimeve ishte krijimi i konfuzionit, duke tentuar të ndikojnë dhe devijojnë jashtëligjshëm vullnetin e qytetarëve në Mitrovicë dhe të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Të nderuar qytetarë të Mitrovicës dhe të Kosovës, do t’ju mbajmë të informuar për gjithçka. Transparenca është tipar që na dallon si individë, si politikanë e si parti politike dhe respektimi dhe mbrojtja e votës së qytetarëve të Mitrovicës është parimi dhe prioriteti ynë kryesor.