Deputeti i VV-së, Fatos Geci ka njoftuar se do të bëjë ankesë për rastin e denoncimit ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Përmes një postimi në Facebook, ai bëri të ditur se për këtë rast do t’i drejtohet Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas tij, deri sot nuk ka marrë asnjë informacion nëse, siç thotë, gazetari në fjalë është thirrur për t’u intervistuar lidhur me postimin e tij, pas të cilit, siç pretendon, ai dhe familja e tij ka marrë qindra kërcënime me jetë.
“Si deputet i Republikës së Kosovës, me përgjegjësi publike dhe me të drejtën për të kërkuar mbrojtjen e ligjit, sot do t’i drejtohem Kryeprokurorit të Shtetit me një ankesë zyrtare. Do të kërkoj sqarime se përse, edhe pas tri ditësh, nuk jam njoftuar për shqyrtimin e kallëzimit tim lidhur me gjuhën e urrejtjes dhe shpifjen, si dhe pse nuk janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Nuk kërkoj privilegje për shkak të pozitës sime. Kërkoj që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë dhe që institucionet përgjegjëse të reagojnë me seriozitet ndaj çdo rasti që mund të rrezikojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Siguria ime dhe e familjes sime nuk është çështje politike. Është çështje e sundimit të ligjit dhe e përgjegjësisë institucionale.
