Skuadra e Ballkanit ka bërë të ditur se fazën përgatitore për edicionin e ri, do ta vazhdojë në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ballkani të hënën ka marrë rrugën drejt Ohrit, ndërsa ka bërë të ditur se krahas stërvitjeve, do ti zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore, me disa ekipe të rajonit.
Ballkani javën e shkuar është rikthyer në stërvitje pas një pushimi të shkurtër dhe synon që të jetë sa më i përgatitur për ndeshjet evropiane. Ballkani do të paraqitet në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ndërsa kundërshtarin do ta mësojë javën tjetër.
“Kontingjenti i lojtarëve tanë sa vjen e po forcohet vazhdimisht, duke krijuar një grup të fortë e konkurrues për aventurën evropiane, si dhe sezonin e ardhshëm që na pret. Për të qenë sa më të përgatitur në të gjitha aspektet, skuadra jonë sot ka udhëtuar për në Ohër të Maqedonisë së Veriut, atje ku do t’i zhvillojë seancat stërvitore, derisa do t’i luaj edhe disa ndeshje përgatitore, me disa ekipe të rajonit”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.
Po ashtu, periudha në Ohër, do ti shërbejë trajnerit Ilir Daja për ta komponuar sa më mirë ekipin për edicionin e ri. Ballkani edicionin e shkuar u paraqit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ndërsa arriti ta mbrojë titullin e kampionit të Kosovës.