FC Prishtina nuk ka të ndalur. Ditë më parë, klubi kryeqytetas zyrtarizoi shumë largime, derisa së fundmi ka nisur të kompletojë transferimet e reja.
Në paraditën e sotme, klubi ‘bardhekaltër’ zyrtarizoi ardhjen e mesfushorit nga Tetova, Muhamed Useini.
Mesfushori shqiptar iu bashkua skuadrës së Ismet Munishit pas largimit prej Gjilanit ditë më parë.
Megjithatë, kjo nuk është e tëra, pasi që shumë shpejt klubi më i madh në vend do ta zyrtarizojë edhe një tjetër prurje.
FrontOnline nga burime të afërta me klubin e Prishtinës mëson se Genc Hamiti do të jetë transferimi i radhës te kryeqytetasit.
Burimet e portalit bëjnë me dije se marrëveshja mes palëve është arritur dhe se zyrtarizimi do të vie shumë shpejt.
28-vjeçari që luan si mesfushor ofanziv në edicionin e kaluar ishte pjesë e Drenicës.
Më parë, ai ka luajtur edhe për skuadrat si Ferizaj e Hajvalia, por edhe te Prishtina vite më parë.