Skuadra nga kryeqyteti ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se janë dakorduar përfundimisht me Besart Berisha, në fund të afatit kalimtar.
Në njoftim të klubit përshkruhet karriera e gjatë e futbollistit të lindur në Prishtinë në kohën e gjeneratës së artë të KF Prishtina, saktësisht më 29 korrik para 36 vitesh, më 1985, kohë kur kjo skuadër ishte në kulmin e saj.
Në fakt Berisha karrierën e tij e ka realizuar në shumë vende europiane e në Australinë e largët, për t’u kthyer në fund të karrierës në klubin e qytetit të lindjes, në Prishtinë. E faqja zyrtare e KF Prishtina marrëveshjen me Berishën e ka cilësuar “ëmbëlsirë” në fund të afatit kalimtar.
Postimi i plotë:
Ëmbëlsira sa i përket afatit kalimtar është lënë për fund, Besart Berisha zbarkon te FC Prishtina.
Sulmuesi me përvojë të madhe, Besart Berisha, është përforcimi më i ri i skuadrës sonë.
Pas një karriere mbresëlënëse në Gjermani, Norvegji, Danimarkë, Angli, Australi e Japoni, me Kombëtaren e Shqipërisë dhe Kosovën, futbollisti me prejardhje nga qyteti i Prishtinës ka vendosur t’i bashkohet skuadrës “bardhekaltër” për ta shkrirë gjithë potencialin dhe përvojën e fituar në futbollin botëror për ekipin tonë.