Ish i burgosuri politik, Fehmi Berisha, nuk i ka rënë pishman për deklaratën e tij kundër analistit Halil Matoshi.
“Kam thënë kushtimisht; do ta varja… është e pakryera e kushtores. Pra nuk kam kërcënuar. Ndaj jo, nuk kam përse të pendohem”, ka thënë Berisha për Gazetën Insajderi.
Tutje ai e ka sqaruar se çfarë do të thotë kushtimisht.
“Kushtimisht, do të thotë: Sikur të isha në pushtet, do ta bëja regjimin diktatorial, ligjet e tilla dhe të gjithë ata të cilët përdhosin vlerat e atdheut do t’i varja. Pra, personi në fjalë mua për ditë, orë e çast m’i përdhos vlerat”.
“Si? Dikur si maturant gjimnazi, me 1974, bashkë me shokë kisha themeluar “Grupin Revolucionar për Bashkim Kombëtar”. Bashkë me Enver Hoxhën bashkë bëmë Demonstratat e vitit 1968, pastaj ato të vitit 1981, pastaj e bëmë luftën 1998-99 dhe vje ai ma përdhos mësuesin, idolin”, ka thënë tutje ai.
“Unë kam lindur në një fshat të Besianes, por jam shqiptar. Shqiptar me gjuhë e gjak. I teket erifit, ose erifave dhe përditë ma përdhosin identitetin shqiptar, duke dashur t’ma ndërrojnë kombin në kosovar!!! Të tillët ma heqin edhe Flamurin!!! Kaq them unë. Nëse nuk ju mjafton Prokuroria e Kosovës, kërkoni ndihmë edhe nga ajo e Serbisë. Jam mësuar t’më dënoni, sepse më keni dënuar edhe ’68-ën,edhe ’81-ën, edhe ’97-99. Nëse ndonjëherë fitojmë ne, pastaj shohim. Kaq”, e ka përfunduar ai deklaratën e tij për Gazetën Insajderi.
Berisha deklaroi mbrëmë në emisionin “Politiko” të Kanal 10 se “6 mijë veta i kisha vjerrë në sheshin e Prishtinës për 24 orë”. Ai nuk u ndal këtu tha se të parin do të “varte” Halil Matoshin.
Për këtë deklaratë të tij, Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka nisur mbledhjen e informacioneve, tha për Gazetën Insajderin, kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi.
“Prokurori kujdestar në bashkëpunim me Policinë po merret me rastin”, tha Munishi.