Fehmi Kupina zgjidhet kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës

Fehmi Kupina zgjidhet kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës

Fehmi Kupina, ish-asamblist i LDK-së, tani i pavarur, është zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës me 22 vota për.

Kupina u zgjodh kryesues me votat e asamblistëve të VV-së dhe atyre të PDK-së.

Tetë asamblistë të pranishëm kanë abstenuar, derisa ata të LDK-së e kanë bojkotuar seancën e jashtëzakonshme.

Pas përfundimit të numërimit, Kupina tha se do të punojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Rizgjedhja për kryesues të Kuvendit është detyrim dhe përgjegjësi për mua për çka zotohem sot dhe qytetareve të Prishtinës që do të vazhdoj të punoj për përmirësimin e jetës së qytetareve”, tha Fehmi Kupina.

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje ka nisur me tensione.

Fillimisht asamblisti i LDK-së, që është në pushtet në Prishtinë, Ajet Brajshori, kërkoi që seanca të shtyhej për 30 minuta.

Kjo është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës.

Pas kësaj regjia e Komunës i ka ndalur mikrofonat për të pamundësuar vazhdimin e punimeve.

Megjithëkëtë përfaqësuesit e opozitës kanë vazhduar të flasin.

Shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, ka akuzuar partinë në pushtet dhe kryetarin Përparim Rama për tendencë për kapje të Kuvendit Komunal.

Ai ka thënë se Vetëvendosja nuk ka emër për kryesues, mirëpo do ta mbështesin secilin emër që do e propozojë një shumicë.

Kupina është propozuar nga asamblisti i AKR-së Gëzim Mehmeti.

Related Articles