Konfliktet për çështje pronësore është një ndër arsyet pse qytetarët në qytetet e ndryshme të Kosovës hyjnë në probleme me njëri-tjetrin.
Ata nuk kursejnë as ofendimet e kërcënimet mes vete, madje duke eskaluar edhe në përleshje fizike.
Një pronë në fshatin Burrnik të Ferizajt u bë sebep që dy familjarë të rrihen keq mes vete.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur dje, ku pas telasheve të vazhdueshme me konteste pronësore, dy të dyshuarit janë përfshirë në një përleshje fizike duke i shkaktuar lëndime trupore njëri-tjetrit.
Dy burrat kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, derisa njëri prej tyre për shkak të gjendjes së rëndë është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar dy të dyshuarit.
Personat e përfshirë në rast janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tyre kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe të njëjtit janë ndaluar për 48 orë.
Po ashtu Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, ku gjatë kontrollit të shtëpisë së njërit prej tyre është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pa leje nga organet kompetente.