Mosmarrëveshjet mes çifteve ndodhin për arsye të ndryshme dhe viktimat më të shpeshta janë gratë, të cilat përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët. Jo rrallëherë konfliktet verbale eskalojnë në ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit, e madje në raste të caktuara edhe në dhunë fizike.
Burimet e Sinjali bëjnë me dije se kështu ka ndodhur në një familje në Ferizaj, ku një gjygym çaji është bërë mollë sherri mes një çifti, të cilët përfunduan gjatë ditës së djeshme në Polici.
Gruaja kërkoi ndihmë mjekësore si pasojë e dhunës psikike, që e kishte përjetuar sistematikisht, teksa burri u kap edhe me babain e saj. Gjithçka ndodhi si pasojë e dhunës së ushtruar nga burri i dyshuar, i cili u denoncua më pas në Polici.
Si rezultat i raportimit të rastit, i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku e ka pranuar veprën për të cilën dyshohet të cilën e ka arsyetuar si qortim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tij të iniciohen rastet si ‘Dhunë në familje’ dhe “Sulm”.