Klubi i futbollit nga Drenasi, KF Feronikeli, u ka borxhe shumë ish-futbollistëve dhe ish-trajnerëve. Borxhi shkon shifrën e 700 mijë eurove, kanë konfirmuar zyrtarë të Feronikelit më herët.
Borxhi ndaj lojtarëve e trajnerëve nuk dihet nëse do të shlyhet ndonjëherë. Kjo pasi KF Feronikeli më nuk ekziston me këtë emër. Tani ka marr emrin Feronikeli 74 dhe ka logon e re.
Feronikeli i sukseseve të mëdha është fuzionuar në mënyrë ende të paqartë dhe ka marr emrin Feronikeli 74. Ka nisur edhe garat në Ligën e Parë të Kosovës në futboll, ku ka barazuar në ndeshjen e parë ndaj Rilindjes, 2:2. Me emrin e ri është paraqitur edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës. Por klubi vazhdon ta shfrytëzojë stadiumin në Drenas.
Mënyra e fuzionimit, ndërrimi i emrit dhe i logos po i brengos shumë ish-futbollistët e kësaj skuadre, ndaj të cilëve borxhi është i madh.
Klubi nga Drenasi i ka mbetur borxh Yll Hoxhës plot 28 mijë euro. Të paktën ai thotë kështu, ndërkohë që nga klubi nuk ka ndonjë prononcim.
“Ne nuk jemi informuar për asgjë nga klubi. E kemi kuptuar këtë situatë përmes mediave. Sigurisht që nuk është në rregull nëse mendohet që të mos na shlyhet borxhi dhe të veprohet në atë mënyrë. Mua më ka borxh Feronikeli 28 mijë euro. Unë kam qenë i gatshëm të bisedoj me klubin dhe të merrem vesh që të shlyhet borxhi. Ne kemi luajtur gjashtë muaj pa paga dhe e kemi mbajtur në Superligë Feronikelin”, u shpreh Hoxha, që tani luan te Gjilani.
Ai zbulon se rastin e kanë dërguar në FFK më herët dhe e kanë fituar atë. Por, problem mbetet një vërtetim nga FFK-ja në mënyrë që rastin ta dërgojnë në FIFA.
“Ne e kemi dërguar rastin në FFK. E kemi fituar rastin dhe normal që duam atë që na takon. Kemi kërkuar edhe një dokument nga FFK-ja si dëshmi që e kemi fituar rastin në mënyrë që të procedojmë tutje, por që nuk e kemi marrë ende. Ne nuk jemi që Feronikeli të shuhet shkaku i borxhit ndaj nesh, sepse kohën më të mirë e kam kaluar aty, duke i fituar të gjithë trofetë. Kemi luajtur edhe pa para, por jemi kundër që gjërat të shkojnë në këtë formë”, deklaroi Hoxha.
25 mijë e 200 euro Feronikeli ia ka borxh mesfushorit Albert Dabiqaj. Ai është i shokuar me atë që ka dëgjuar për fuzionimin e klubit.
“Ky është fuzionim i parë i këtij lloji. Unë as nuk kam parë e as nuk kam dëgjuar që të ketë ndodhur një gjë e tillë diku. Kemi shumë pikëpyetje. Tani do të shikojmë se cili do të jetë hapi i radhës që do ta marrim. Unë do ta kërkoj djersën time gjithë jetën dhe nuk do të lejoj që kjo të kalojë kështu sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ne kemi luajtur me muaj të tërë pa asnjë cent dhe tani ndodh kështu. Kjo është e papranueshme”, tha Dabiqaj.
Futbollisti që tani vesh fanellën e Gjilanit, thekson se janë në pritje që Federata e Futbollit e Kosovës t’ua japin një dëshmi që Feronikeli u ka borxh.
“Borxhi ndaj meje është 25 mijë e 200 euro. Unë e kam dërguar rastin në FFK para më shumë se një viti. Asnjë cent nuk e kemi marrë nga ajo kohë, pra FFK-ja nuk ka arritur të bëjë asgjë. Tani do ta kërkojë një dëshmi në FFK që Feronikeli na ka borxh në mënyrë që rastin ta dërgojmë në FIFA. Shpresoj që ata do të na japim një dëshmi”, theksoi Dabiqaj.
Personi që është marrë me organizimin e Feronikeli 74 është Erlind Krasniqi. Ai ka qenë zëdhënës në kohën sa kryetar ka qenë Naser Ramaj.
Krasniqi ka thënë të hënën për KOHËN se gjatë kësaj jave do të flasë për gjithë atë që ka ndodhur lidhur me fuzionimin dhe gjërat e tjera.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në Federatën e Futbollit e Kosovës në lidhje me mënyrën e fuzionimit dhe licencimin e Feronikelit 74 për t’u paraqitur në gara. FFK-ja ka heshtur të hënën dhe të martën, duke mos u përgjigjur.
KOHA ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga Komuna e Drenasit, e cila me vite të tëra e ka ndihmuar financiarisht klubit. Nuk ka marrë përgjigje. Në fakt kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, kishte kërkuar që të jepte dorëheqje kryesia e klubit të Feronikelit. Kryetar në atë kohë ishte Ekrem Elshani. Pas kërkesës së Lladrovcit, ishte dorëhequr e gjithë kryesia në dhjetor të vitit 2017. Përkohësisht Ramiz Lladrovci kishte emëruar kryetar Agim Kastratin, kurse më pas në krye të klubit erdhi biznesmeni Naser Ramaj. Në kohën e tij, Feronikeli fitoi të gjithë trofetë në futbollin e Kosovës dhe u paraqit edhe në garat evropiane. Por, në vitin e kaluar, Ramaj papritur u largua. Me muaj të tërë nuk foli asgjë, kurse më pas konfirmoi dorëheqjen duke e lënë Feronikelin me borxhe të mëdha. Shkaku i problemeve financiare, Feronikeli ra nga Superliga në edicionin 2021/2022./Koha.net/