Videot e fundit, të realizuara para fillimit të tmerrit, tregojnë se ishte një festival, si çdo festival tjetër – me të rinj duke kërcyer në agim.
Sipas disa rrëfimeve, të pranishëm aty ishin rreth 4000 njerëz, e nga pamjet duket se ishin kryesisht nën 30-vjeçarë, ka shkruar BBC.
Mbajtësve të biletave iu tha të shkonin në një vend në veri të Re’imit, rreth 6 kilometra në lindje të Gazës. Organizatorët e festës premtuan “udhëtim bashkimi dhe dashurie”.
Dhe me të vërtetë ka shumë fytyra të lumtura për t’u parë në një video të ngarkuar në orën 07:22, në të cilën shfaqen pjesëmarrësit e festivalit duke qeshur dhe kërcyer në dritën e dobët të mëngjesit. Por, mbi kokat e tyre, retë e vogla e të zeza tymi sinjalizojnë fillimin e terrorit që po afrohej. Në orët që pasuan, Hamasi do të lëshonte mijëra raketa drejt Izraelit.
Disa nga frekuentuesit e festivalit mund të shihen në të njëjtat pamje kur panë grilat e errëta mbi kokat e tyre. Të tjerët janë të pavëmendshëm dhe vazhdojnë të kërcejnë. Në një tjetër video të postuar pak kohë më pas, muzika ishte ndaluar. Njerëzit kishin filluar të evakuoheshin nga vendi i festivalit, disa nën panik, e të tjerë iknin drejt daljes.
“Ata ishin kudo”
Është e paqartë se sa minuta kanë kaluar mes fillimit të raketave dhe mbërritjes së personave të armatosur, por dëshmitë e dëshmitarëve okularë thonë se gjithçka ndodhi shumë shpejt.
“Kishte raketa, pastaj nisën të qëllonin. Po vinin nga drejtime të ndryshme dhe po bëheshin gjithnjë e më të rënda”, ka deklaruar Gilad Karplus, 31-vjeçar që punonte si terapist masazhi në festival.
“Pashë njerëz që po zbrisnin. Derisa pamë këtë, u hodhëm në xhip dhe ikëm nga fusha”.
Një postim i shpërndarë në Instagram nga një grua shfaqi momentin kur raketat “shpërthyen” nga qielli dhe njerëzit po zhdukeshin nga faqja e dheut.
“Kemi kaluar nëpër rrugë kryesore, por pas një minute dikush nisi të bërtiste se terroristët po qëllonin”, ka shkruar një përdorues i Instagramit. “Por, pas dy minutash, në drejtimin tjetër, ne kuptuam se ka edhe më shumë terroristë atje.”
Është e pamundur të dihet nëse militantët e dinin se festivali po zhvillohej në atë vend, por sipas BBC-së, ata me siguri kishin dëgjuar muzikën që kumbonte nëpër fshatin e qetë.
Gili Yoskovich, derisa fliste për përvojën e tij, tha se militantët “ishin kudo me armë automatike”, duke shtuar se armët po shpërndaheshin edhe me furgonë.
Rrëfimet, sipas BBC-së, sugjerojnë se kampi ishte rrethuar plotësisht, përfshirë me rrugët brenda dhe jashtë.
Pjesëmarrësit e festivalit vraponin në të gjitha drejtimet, por disa ishin ende brenda rrezes së të armatosurve.
Gilad, që shërbeu në ushtrinë izraelite, ka thënë se pati përshtypjen që rrugët do të bllokoheshin.
“Jam i sigurt se shumë njerëz u vranë në ato rrugë. Ne u futëm me vetura në fushë dhe u përpoqëm të fshiheshim prej tyre. Më pas u futëm pak më thellë në fusha dhe më pas ata filluan të gjuanin me pushkë snajperë nga vende të ndryshme dhe gjithashtu me artileri të rëndë”, ka shtuar ai.
“Masakra e filmuar në kamerë”
Derisa po tentonin të iknin, pjesëmarrësit e festivalit panë shumë trupa njerëzish të zënë peng.
Pamjet e kamerave shfaqin tre persona të armatosur që morën pjesë në masakër.
Në pamje tutje shihet një trup i palëvizshëm, i shtrirë e i përkulur pranë një makine.
Tutje, një militant i armatosur me një armë automatike shihet më pas duke urdhëruar një burrë të gjakosur të largohej, para se ta kapte nga pjesa e pasme e bluzës dhe ta fshihte nga kamera.
Nuk dihet nëse ai mbijetoi.
Disa sekonda më vonë, një tjetër militant shihet teksa futet me vrap në ambientin ku është mbajtur festivali dhe e qëllon me kokë trupin që mbeti i shtrirë nga plagët.
Në një pjesë më të vonshme të filmimit, shfaqet një grup burrash, prej tyre njëri i armatosur, që shihen se janë prezentë për të plaçkitur. Ata qëndrojnë pranë trupave të shtrirë dhe kontrollojnë pranë veturave të parkuara përreth.
BBC-ja shkroi se i ka analizuar pamjet dhe i ka publikuar imazhet e personave të armatosur, që vërehen mjaftueshëm nëpërmjet softuerit “Amazon Rekognition”.
Në tërë lokacionin e festivalit, skena të tilla përsëriteshin pa pushim. Mbi 260 persona thuhet se janë marrë peng, sipas agjencisë së shpëtimit Zaka.
Pamjet me celularë dhe dronë nxjerrin në pah shkallën e sulmit të Hamasit, në rrugët që çojnë në vendet e mbushura me makina që nuk kishin arritur të kalonin furinë e plumbave. Festivali ishte bërë zonë lufte, e për disa, makthi vazhdon.
Hamasi pretendon se ka marrë disa pengje nga vendi, ndërsa autoritetet izraelite kanë thënë se rreth 100 njerëz nga i gjithë vendi po mbahen brenda Gazës.