Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka përkujtuar 26 vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë.
Ai theksoi rëndësinë e këtij momenti historik për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Fetai tha se bombardimet e NATO-s ndihmuan çlirimin e Kosovës dhe ndaluan shtypjen dhe krimet e regjimit të Sllobodan Millosheviqit kundër civilëve në Kosovë.
“Ky moment historik hapi rrugën drejt paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë”, shkroi ai.
Mirëpo, kjo deklaratë nuk i pëlqeu aspak diplomatit serb me seli në Shkup.
Ambasada serbe në këtë vend u shpreh “thellë e shqetësuar” për këtë deklaratë të Fetait, duke thënë se e njëjta “nuk kontribuon në ndërtimin e respektit të ndërsjellë mes dy vendeve”.
Në reagimin e kësaj ambasade theksohet se deklarata e Fetait se intervenimi i NATO-s ishte një “moment historik” që “hapi rrugën drejt paqes dhe stabilitetit në rajon” dhe “ndalimin e gjenocidit” ndikon thellë në ndjenjat e qytetarëve serbë, për të cilët, sipas këtij reagimi, “24 marsi përfaqëson simbolin e vuajtjeve të mëdha dhe fillimin e një prej periudhave më tragjike në historinë e re të Serbisë dhe popullit serb”.
“Kujtimet e ngjarjeve të asaj kohe dhe vuajtjet e popullatës janë ngulitur thellë në ndërgjegjen kolektive të popullit tonë, dhe dhimbja dhe pasojat e asaj periudhe janë ende të gjalla edhe sot. Prandaj çdo përpjekje për të relativizuar apo interpretuar pozitivisht këto ngjarje perceptohet si një poshtërim i dhimbshëm dhe i papërshtatshëm i viktimave dhe familjeve të tyre”, tha ambasada serbe në Shkup.
Më tej, misioni diplomatik serb në Shkup tha se “shpreh shpresën se në të ardhmen kompleksiteti i temave të tilla do të merret parasysh gjatë paraqitjeve publike, por, më e rëndësishmja, do të tregohet konsistenca e parimeve të përzgjedhura ndërkombëtare në zbatim të interpretimit dhe respektimit të parimeve të tyre ndërkombëtare, duke respektuar interpretimin dhe zbatimin e tyre”.
Ambasada theksoi se është veçanërisht e shqetësuar për “përdorimin joserioz” dhe “të pabazuar” të formulimeve gjuhësore dhe termave juridikë, siç është termi “gjenocid”. Ky i fundit, ambasada serbe thotë se po keqpërdoret dhe se përdorimi i tij është “fyerje për të gjitha viktimat e vërteta të kësaj forme më të rëndë krimi”.
Më tutje, ambasada e vazhdoi narrativin serb për situatën “e rëndë” të popullatës serbe në Kosovë. /Gazeta Enigma