Numri i bizneseve të cilat po vendosin të bashkëpunojnë me Federatën e Futbollit të Kosovës po rritet gjithnjë e më shumë.
Këtë të diel presidenti, Agim Ademi, ka arritur marrëveshje me sponsorin e ri, kompaninë Al Trade Center. Marrëveshja është nënshkruar nga presidenti Ademi dhe drejtori i marketingut dhe burimeve njerëzore në Al Trade Center, Artan Ramaj.
Kësisoj me rradhë të gjitha kompanitë e mëdha kosovare dhe ato që operojnë në vendin tonë po bëhen partnere të FFK-së.
Ato po e vlerësojnë punën e drejtë dhe të pastër të udhëheqjes së FFK-së, duke e pasur besimin e plotë që sponsorizimi i tyre po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e futbollit në vendin tonë.
FFK falënderon të gjithë sponsorët dhe njëherësh i është mirënjohëse institucioneve tona, parasegjithash MKRS-së, që po e realizojnë në mënyrë të shpejtë Ligjin mbi Sponsorizim. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes presidenti Ademi shprehu falënderimin e tij dhe të KE të FFK-së për kompaninë Al Trade Center që ka vendosur për ta mbështetur zhvillimin e futbollit.
Në anën tjetër, edhe përfaqësuesi i kompanisë, Artan Ramaj u shpreh i lumtur për mundësinë e krijuar që të jenë partner të FFK-së dhe kësisoj të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve për të rinjtë që janë pjesë e futbollit./Gazeta Enigma/