FIFA ka akuzuar Federatën e Futbollit të Serbisë për shfaqjen e flamurit me hartë të Kosovës në zhveshtoren e përfaqësueses së Serbisë në Botërorin “Katari 2022”, gjatë ndeshjes me Brazilin. FIFA të shtunën ka nisur procedurë disiplinore ndaj Federatës serbe, ndërsa vendimi pritet së shpejti, ka njoftuar agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Shtëpia e futbollit botëror ka përmendur një pjesë të kodit të saj disiplinor që mbulon sjelljet e pahijshme, duke përfshirë gjestet, shenjat ose gjuhën fyese, si dhe përdorimin e një ngjarjeve sportive për demonstrime josportive.
Ndonëse FIFA nuk ka dhënë afat kohor për vendimin, ai pritet të merret së shpejti.
Flamuri që u shfaq në zhveshtoren e Serbisë ishte me hartë të Kosovës dhe me ngjyra të flamurit serb. “Nuk ka dorëzim” shkruan në flamurin që u shfaq edhe në stadium gjatë ndeshjes së Serbisë me Brazilin.
Federata e Futbollit e Kosovës u ankua të premten në FIFA, ndërsa kanë reaguar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Serbët kanë refuzuar të shtunën të flasin për atë flamur skandaloz.