Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar zyrtarisht se janë dënuar nga FIFA për sjelljen diskriminuese të tifozëve shqiptarë gjatë ndeshjes Shqipëri – Andorra dhe kështu përveç parave ata do të jenë të hendikepuar edhe pa një pjesë të tifozëve që do të mungojnë në tribunat pas portave.
Kombëtarja Shqiptare ka nisur kualifikueset për Kupën e Botës 2026 gjatë muajit mars, ku në ndeshjen e parë është mposhtur nga Angli në Londër me rezultat 2-0, ndërsa në ndeshjen e dytë ndaj Andorrës ka fituar në shtëpi 3-0.
Megjithatë, fitorja ndaj Andorrës ka ardhur me një kosto të madhe, pasi FSHF ka njoftuar për një dënim nga FIFA shkaku i sjellëve diskriminuese nga ana e tifozëve, dënim i cili nuk do të mirëpritet aspak mirë nga tifozët shqiptarë.
“FIFA ka gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit pas sjelljes diskriminuese të tifozëve shqiptarë gjatë ndeshjes kualifikuese për Botërorin 2026 ndaj Andorrës, e zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare” më 24 mars 2025”.
“Komisioni Disiplinor i FIFA-s e konsideron të papranueshme sjelljen e tifozëve dhe ka vendosur një gjobë prej 20 mijë frangash zvicerane ndaj FSHF-së si edhe mbylljen e të paktën 20% të stadiumit në ndeshjen e radhës së Shqipërisë në kompeticionet e FIFA-s, me prioritet në tribunat pas portave”.
“Sipas vendimit të dhënë nga FIFA, ky 20% mund të mbushet me grupe të komunitetit ose organizata kundër diskriminimit, me miratim paraprak nga qeveria botërore e futbollit. Gjithashtu, brenda 6 muajve, FSHF duhet të hartojë dhe të paraqesë një plan të përmirësuar kundër diskriminimit që duhet të miratohet nga FIFA”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
Ndryshe, ndeshja e ardhshme e Shqipërisë në ‘Arenën Kombëtare’ është ajo ndaj Serbisë në kuadër të kualifikuese për Kupën e Botës 2026, e cila është paraparë të zhvillohet me datë 7 qershor në kuadër të Grupit K.