Fillon shtypja e fletëvotimeve për zgjedhjet e 9 shkurtit

Fillon shtypja e fletëvotimeve për zgjedhjet e 9 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka filluar shtypja e fletëvotimeve për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se shtypja e fletëvotimeve po realizohet në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë, “Cetis”, në Celje të Sllovenisë.

Ky proces po zhvillohet sipas standardeve ndërkombëtare dhe nën mbikëqyrjen e një delegacioni të KQZ-së të udhëhequr nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi dhe stafit të Sekretariatit të KQZ-së.

Gjithashtu, përveç fletëvotimeve, janë duke u shtypur edhe broshurat me listat e kandidatëve, të cilat do të jenë të disponueshme për votuesit në vendvotime gjatë ditës së zgjedhjeve.

Në mbledhjen e mbajtur më 15 janar, KQZ mori vendim për numrin e fletëvotimeve dhe broshurave që do të shtypen.

Sipas vendimit të KQZ-së do të shtypen 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta; 28,450 për votimin me kusht; 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë; dhe 21,450 për votimin në përfaqësi diplomatike.

Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2,075,868 votues, prej të cilëve 1,970,944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104,924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës.

Andaj, sipas vendimit të KQZ-së, do të shtypen 323,218 apo 15.57% fletëvotime më pak se numri i votuesve. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Related Articles