Finalja e Conference League mes Romës dhe Feyenordit pritet të sjellë në Shqipëri një numër të madh qytetarësh italiane dhe holandezë, por edhe shumë të tjerë të apasionuar pas futbollit.
Datat 24 dhe 25 maj pritet që të jenë ndryshe për kryeqytetin, pasi numri i madh i njerëzve do të ndikojë edhe në fitimet që do të kenë bizneset. Por ende pa filluar mirë atmosfera e finales, disa prej bizneseve në kryeqytet kanë rritur çmimet në mënyrë drastike.
Nëse do të futemi në “bookings.com” për të rezervuar një natë në një hotel të Tiranës në datat 24 ose 25 Maj, atëherë mund të përballemi edhe me çmime të frikshme, si 1300 euro/nata. Ka edhe hotele ku rezervimi fillon me 600 euro, me 700 apo 800 euro, por ka edhe disa të tjerë që u kanë qëndruar besnikë çmimeve të mëparshme, duke mos përfituar nga ndeshja finale.
Një rritje e tillë çmimesh jo vetëm që mund të “frikësojë” tifozët, por mund të ndikojë keq edhe për turizmin në verë, për shkak të lajmeve që mund të shpërndahen për këto çmime të pajustifikuara.
Për të tërhequr turistët, hotelet kanë menduar që t’i shpërblejnë edhe me mëngjesin falas, pasi t’u kenë marrë më shumë se 1 milionë lekë për vetëm një natë.