Llapi dhe Dukagjini do të përballen sonte në finale të Kupës së Kosovës, ku synimi do të jetë më i madh se thjesht trofeu shtetëror, pasi fituesi do ta sigurojë një vend edhe në kualifikime për Ligën e Evropës.
Takimi final mes Llapit dhe Dukagjinit zhvillohet në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Të dy skuadrat e kërkojnë trofeun e parë të Kupës së Kosovës.
Por klubi nga Klina duhet të presë leje të veçantë për të marrë pjesë në kualifikime për garën dytësore evropiane, edhe nëse e fiton kupën, sipas Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Për Llapin suksesi në këtë finale do të thotë dalje e sigurt në Evropë, pasi tashmë është licencuar për garat evropiane, derisa Dukagjini si klub i Ligës së Parë është ende në procedurë të veçantë të licencimit nga UEFA”, sipas FFK-së, raporton Express.
Rrugës deri në finale Llapi e ka eliminuar Onixin, Ballkanin, Trepçën’89 dhe Prishtinën, derisa Dukagjini ia doli të eliminojë Vllazninë, 2 Korrikun, Drenicën dhe Istogun.
Derisa trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku e fitoi këtë trofe vitin e kaluar si trajner i Prishtinës, tekniku i Llapit, Tahir Batatina, do të kërkojë ta shijojë këtë sukses për herë të parë.
Synimi kryesor i skuadrës së Batatinës këtë sezon ka qenë pikërisht kjo garë, pasi klubi nga Podujeva e ka parë kupën si rrugë më të lehtë për ta siguruar një biletë për kualifikime për garat evropiane.