“Financohen nga Serbia”, AGK i reagon ashpër Qeverisë: Ndaloni së sulmuari mediet kosovare

“Financohen nga Serbia”, AGK i reagon ashpër Qeverisë: Ndaloni së sulmuari mediet kosovare

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i ka reaguar zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, duke e cilësuar deklaratën e tij ku fliste për mediat e vendit, si të rrezikshme dhe të papranueshme.

Saktësisht, bëhet fjalë për deklaratën që Bislimi e tha sot, në konferencë për shtyp bashkë me Kryeministrin Kurti, kur u pyet për lëshimet që ai i ka përmendur më herët në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, teksa tha se “Fjala lëshim është përdorur qëllimisht nga media kosovare që kanë financim nga Serbia për me i dhanë konotacion…”.

AGK ka dënuar ashpër gjuhën e njeriut të dytë të Qeverisë, teksa shtoi se kjo qeveri duhet të ndalojë së sulmuari mediet kosovare, pasi po rrezikojnë gazetarët.

“Jo për herë të parë, zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, që udhëheq me negociatat me Serbinë, Besnik Bislimi ka sulmuar mediet kosovare, duke e bërë akuzën e rrezikshme se ato “financohen nga Serbia”.

AGK-ja, e dënon ashpër këtë gjuhë të papranueshme të njeriut të dytë të Qeverisë, dhe vë në pah se kur vjen nga niveli më i lartë i pushtetit vë në rrezik serioz, edhe fizik gazetarët e medieve kosovare.

Qeveria Kurti duhet të ndalojë së sulmuari mediet kosovare, dhe të lejojë ato ta bëjnë punën e tyre, duke përfshirë komponentin shumë të rëndësishëm të mbajtjes përgjegjës të pushtetit. #AGK#SafeJournalists#journalist“, thuhet në reagimin e AGK-së.

Related Articles