Lajmi i rrejshëm i para 22 ditëve në portalin boshnjak, Slobodna Bosna, se dy media të Kosovës financohen nga Serbia, tashmë është demantuar.
Pas shumë reagimeve vendore e ndërkombëtare për lajmin e rrejshëm të cilin e transmetoi edhe Radiotelevizioni i Kosovës, çdo gjë po shkon drejt qartësimit.
Pas paralajmërimit për padi nga gazeta Nacionale, portali boshnjak Slobodna Bosna, e ka bërë ndryshimin e komplet artikullit në pjesën ku përmendet gazeta Nacionale dhe Periskopi.
Avokatja e Nacionales në Bosnje dhe Hercegovinë, Jovana Kisin, ka dërguar kërkesë dhe paralajmërim për padi në adresën e portalit boshnjak. Kisin ka demantuar fuqishëm lajmin, duke kërkuar publikimin e demantit dhe fshirjen e emrave të mediave.
Portali boshnjak Slobodna Bosna pasi e ka pranuar paralajmërimin për padi, i ka fshirë emrat e Nacionales dhe Periskopit nga artikullit.
Si rezultat, me këtë veprim, konfirmohet sërish se ky portal nuk ka pasur as edhe një dëshmi për këtë akuzë të rëndë se “Nacionale dhe Periskopi financohen nga Serbia”.
Përderisa portali boshnjak tashmë ka pranuar përgjegjësinë lidhur me këtë lajm skandaloz, në RTK nuk ka as edhe një masë. Lajmi i njëjtë ishte transmetuar në portalin e RTK-së, dhe më pas ishte edituar. Ishte transmetuar edhe në edicionin qendror të lajmeve.