Finlanda dhe Danimarka thonë se u janë ngrirë llogaritë bankare të ambasadave në Rusi

Finlanda dhe Danimarka thonë se u janë ngrirë llogaritë bankare të ambasadave në Rusi

Llogaritë bankare të Finlandës dhe Danimarkës në Rusi janë ngrirë, duke bërë që ambasadat e tyre të bëjnë pagesa me para në dorë, thanë të mërkurën zyrtarë nga të dyja shtetet.

Ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, u tha gazetarëve se llogaritë bankare kishin pushuar së punuari më 27 prill. Ministria e Jashtme e Danimarkës tha se llogaritë e saj bankare ishin ngrirë që nga vera e kaluar.

“Llogaritë e ambasadës finlandeze janë ngrirë në Rusi dhe për momentin ato nuk mund të përdoren,” tha Haavisto, duke shtuar se ambasada dhe konsullata e saj në Rusi kishin përdorur rezerva parash për të paguar faturat.

Ministria e Jashtme daneze tha se kufizimet e vendosura nga autoritetet ruse nënkuptonin se kartat bankare të ambasadës së saj ishin bllokuar.

“Rritja e kërkesave për dokumentacion përpara të gjitha pagesave do të thotë konkretisht se ambasada ka kohë që paguan pagat për punonjësit dhe paguan faturat me para në dorë”, tha ministria.

Banka Qendrore e Rusisë nuk iu përgjigj kërkesave për të komentuar këto çështje.

Finlanda, e cila ka një kufi të gjatë me Rusinë, u bashkua zyrtarisht me NATO-n më 4 prill në një ndryshim historik të politikës që solli lufta në Ukrainë vitin e kaluar.

Haavisto tha se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë e kishin bërë më të vështirë transferimin e parave, “ndoshta nuk ishte menduar se sa pasoja të rënda do të shkaktonte kjo për ambasadat finlandeze”.

Ai tha se ngrirja e llogarive përbënte “ngacmim”, duke iu referuar Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, e cila synon të mbrojë misionet diplomatike jashtë vendit.

“Kjo është një çështje që nuk mund të vendoset nga bankat,” tha ai.

Tutje, Haavisto tha se Finlanda u kishte dërguar autoriteteve ruse një njoftim më 4 maj duke kërkuar që Rusia të siguronte aftësinë e misioneve për të funksionuar dhe duke kërkuar një shpjegim zyrtar për ngrirjen, por ajo nuk kishte marrë një njoftim nga Rusia deri më tani.

Related Articles