Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, me të cilën ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi.
Ministrja Gërvalla, ka njoftuar ambasadoren Stjernvall me prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës, ku gjatë këtij takimi është diskutuar lidhur me hapat që po ndërmerr Kosova drejt përmbushjes së agjendës evropiane dhe e ardhmja e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë
Nevoja për thellim të bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve, posaçërisht shkëmbimi i përvojave në sektorin e arsimit dhe kulturës dhe programet për të rinj, ishin çështje për të cilat u shpreh përkushtim që të ketë bashkëpunim konkret.
Nga ana tjetër, ambasadorja Stjernvall ka ritheksuar qëndrimin mbështetës të shtetit të saj karshi integrimit evropian të Kosovës si dhe mbështetjen për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare.