Finlanda vendosi të enjten të mbyllë kufirin e saj me Rusinë, duke filluar të shtunën, për të ndaluar rojet kufitare ruse të transportojnë emigrantë pa dokumente në pikat kufitare ku ata hyjnë ilegalisht në Finlandë.
Veprimi u ndërmor në bazë të Aktit të Rojës Kufitare për të luftuar një kërcënim serioz për rendin publik dhe sigurinë kombëtare. Vendimi për mbylljen e kufirit është i vlefshëm deri më 18 shkurt 2024, sipas Ministrisë së Brendshme të këtij shteti.
“Ne kemi vepruar me vendosmëri dhe me shpejtësi në mënyrë që situata në kufirin lindor të mos përkeqësohet”, tha kryeministri finlandez Petteri Orpo në një deklaratë. “Ndryshimet në Ligjin e Rojës Kufitare janë bërë në periudhën e fundit zgjedhore vetëm për situata të tilla. Tani këto mjete janë përdorur”.
Orpo tha se kërkesat për azil mund të merren ende në vendkalimet Salla dhe Vartius më në veri.
Një deklaratë nga ministrja e Brendshme, Mari Rantanen, tha se mbyllja e kufirit do të ndalojë hyrjen e paligjshme në Finlandë në vendkalimet kufitare Vaalimaa, Nuijamaa, Imatra dhe Niirala.
“Qeveria është e gatshme të marrë masa edhe më drastike nëse është e nevojshme”, tha Rantanen.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Finlandës, imigracioni i paligjshëm në kufirin e Finlandës me Rusinë është rritur ndjeshëm gjatë javëve të fundit.
Ministria tha se “ka indikacione të qarta se autoritetet e një shteti të huaj ose aktorë të tjerë kanë luajtur një rol në lehtësimin e mbërritjes së personave që kanë kaluar kufirin ilegalisht”.
Qeveria e Finlandës tha se kjo përbën një kërcënim serioz për rendin publik dhe sigurinë kombëtare.