Finlanda, shteti i parë që do të vaksinojë njerëzit kundër gripit të shpezëve

Finlanda, shteti i parë që do të vaksinojë njerëzit kundër gripit të shpezëve

Finlanda planifikon që të ofrojë vaksinimin e njerëzve kundër gripit të shpezëve nga java e ardhshme. Fillimisht, kjo vaksinë do t’iu ofrohet disa punëtorëve që punojnë me kafshët, thanë autoritetet shëndetësore.

Shteti nordik ka blerë vaksina për 10.000 persona. Ato jepen përmes dy dozave dhe vaksinat janë blerë në kuadër të blerjes së përbashkët të Bashkimit Evropian për 40 milionë doza për 15 shtete, nga prodhuesi CSL Seqirus.

Komisioni Evropian tha se Finlanda do të jetë shteti i parë që do të ofrojë vaksina të tilla për njerëzit.

“Vaksinat do t’iu ofrohen personave mbi 18 vjeç që janë në rrezik më të madh që të preken nga gripi i shpezëve për shkak të punës së tyre dhe rrethanave të tjera”, tha Instituti finlandez për Shëndet dhe Mirëqenie.

Viteve të fundit, gripi i shpezëve apo varinati H5N1, ka vrarë apo shkaktuar vdekjen e qindra miliona shpezëve në mbarë botën në vitet e fundit dhe po ashtu gjithnjë e më shumë po përhapet te gjitarët, përfshirë te lopët në Shtetet e Bashkuara, por në disa raste po prek edhe njerëzit.

Autoritetet thanë se Finlanda nuk ka regjistruar asnjë rast me këtë grip te njerëzit. Megjithatë, shteti dëshiron të nisë vaksinimin për shkak të rrezikut të përhapjes së sëmundjes në ferma.

Vitin e kaluar, për shkak të përhapjes së gripit të shpezëve në ferma, Finlanda asgjësoi 485.000 kafshë, në mënyrë që virusi të mos përhapej te njerëzit./REL

Related Articles