Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka dalë për kafe me Ministren Albulena Haxhiu dhe kolegët Armend Muja dhe Adnan Rrustemi, pas kërcënimit që ua bëri sot mediave.
Fotografinë nga ky takim e ka ndarë në Facebook, duke thënë se seanca e sotme ishte shumë produktive.
“Pas seancës së shkurtër por shumë produktive ”, ka shkruar Pacolli.
Ndryshe, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që ka pushtetin absolut sot në Kosovë, Fitore Pacolli, gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës ka bërë thirrje qe Kuvendi dhe Qeveria të marrin masa ndaj mediave në Kosovë, meqë sipas saj, në raportin e Parlamentit Evropian thuhet që “kohëve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media”.
Siç pretendon Pacolli në fjalën e saj në Kuvend, ky raport thotë se përmes investimeve të tilla private është rritur edhe mundësia e ndikimit në disa mediume kryesore në vend dhe në ato online.
Teksa ka përmendur si burim të fjalëve të saj këtë raport të Parlamentit Evropian, Pacolli ka kërkuar vëmendjen e Kuvendit dhe të Qeverisë për të marrë masa dhe për të kuptuar se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave si dhe indetifikimin e pronësisë së mediave në Kosovë.
“Viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online, të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe për shantazh politik. Pra këtu kërkojmë vemdnjen e Kuvendit dhe qeverisë që të marrim masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave, transparencën si dhe me indentifikimin e pronësisë së mediumeve”, ka thënë Pacolli në Kuvendin e Kosovës teksa ka folur për raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën.