Gjatë tentativës së 40-të për konstituimin e Kuvendit, deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, iu dërgua një këshillë e çuditshme në “Messenger”.
Në një fotografi të realizuar nga gazeta “Nacionale”, që tregon ekranin e tabletit që po përdorte Pacolli, shihet se në një grup të hapur në “Messenger” me emrin “Seanca cdo 48h”, është dërguar një link që në gjuhën angleze shkruan: “Zeoob: Gjenerues i Postimeve të Rreme në Facebook me Komente”.
Pas këtij linku, dikush ka shkruar: “Qitu e ndreq kollaj.”
Në përgjigje, Pacolli ka dërguar një imazh që tregon një burrë duke e përqafuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ka shkruar nën të: “Ka edhe te tille qe videot AI i merr sit e verteta hahahaha”.
Bashkëbiseduesi ia kthen me një “Hahahaha”.
Nuk është e qartë nëse grupi “Seanca cdo 48h” përbëhet nga deputetët e VV-së, apo nga anëtarë të tjerë të kësaj partie.
Çfarë është Zeoob.com?
Bëhet fjalë për një faqe që ofron mjete për të simuluar postime dhe biseda të rreme në rrjete sociale si Instagram, Facebook, X, Snapchat, WhatsApp, TikTok e të tjera. Këto simulime janë vizualisht realiste dhe janë të dizajnuara për të mashtruar.
“Mirë se vini në Zeoob, simulatorët më të mirë online për krijimin e postimeve të rreme në rrjetet sociale me komente që duken dhe ndihen reale. Zgjidhni nga një gamë e gjerë opsionesh për platformat sociale si Facebook, Twitter/X, Instagram, Snapchat, WhatsApp dhe shumë të tjera. Krijoni një postim që duket realist me gjeneratorin tonë të postimeve në Instagram duke ngarkuar foton tuaj të profilit, shtuar përshkrime dhe duke bërë personalizimet që dëshironi.”