Disa sekonda pasi u qëllua nga arma e Alec Baldwin , kinematografja Halnya Hutchins i tha një operatori në sheshxhirimin e filmit Rust: “Kjo s’ishte mirë. Kjo s’ishte aspak e mirë”
Disa orë më vonë ajo u shpall e vdekur në spital.
Fjalët tragjike të 42-vjeçares, nënë e një fëmije, u raportuan nga e përditshmja Los Angeles Times sipas intervistave të njerëzve që po punonin për filmin ‘western’ të Baldwin, si dhe email-eve e mesazheve të tyre.
Disa momente më herët Baldwin po përgatitej për xhirimin e skenës brenda një kishe ku ai do të qëllonte me pistoletën Colt, kalibër 45.
Teksa mbante armën që supozohej të ishte mbushur me gëzhoja boshe, aktori i njohur tha: “Domethënë e nxjerr këtë kështu, tërheq këmbëzën dhe ‘Bang!’”.
Por në fakt një plumb i vërtetë doli nga gryka e armës megjithëse aktorit i ishte thënë se ishte një “armë e ftohtë,” siç i referohet zakonisht produksioni armëve të provës që nuk mbajnë plumba zjarri.
Hutchins e plagosur për vdekje, kishte rënë prapa në krahët e krye-elektricistit teksa nga gjoksi nisi t’i dilte gjak.
Ndërkohë edhe regjisori Joel Souza, i cili besohet se u godit nga i njëjti plumb, ra edhe ai përtokë.
“Çfarë dreqin, çfarë po ndodh? Kjo po më djeg!” kishte thërritur Souza, sipas të përditshmes.
Baldwin më pas kishte vendosur armën në një stol dhe tha: “Çfarë dreqin ndodhi?”
“Mjekët, ku janë mjekët!” thërriti dikush, teksa stafi shkonte të ndihmonte Hutchins.
Në fundjavë Baldwin dukej ende i tronditur teksa foli në skenën e shesh-xhirimit tragjik, që tronditi industrinë e showbiz-it.
Anëtarët e stafit thanë se kishte pasur tre të shtëna aksidentale gjatë xhirimeve, para incidentit fatal.
Në një prej rasteve, dublanti i Baldwin qëlloi aksidentalisht një të shtënë boshe, teksa i ishte thënë se arma e tij nuk mund të qëllonte.
Vetë Baldwin ka thënë se ishte i shqetësuar për sigurinë në setin filmik.
“Vetë Alec ka qenë i shqetësuar për sigurinë në set,” tha një teknik kamerash që nuk donte të identifikohej. /Gazeta Enigma.