Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku bëri thirrje që të rrëzohen akuzat kundër Kosovës dhe të pranojë kërkesën e Shqipërisë për miratimin e një rezolute, që kërkon një raport vijues, lidhur me akuzat e paprovuara të Dick Marty, ka shkaktuar reagime të forta, ku disa e kritikojnë për sjellen e disa e lëvdojnë.
Por që fjala e Ramës ka sjellë pakënaqësi duket edhe pasi kreu i grupit të Partive Popullore Europiane Aleksander Pociej, ka thënë se nuk e kanë pranuar ftesën e Ramës për darkë.
“Me keqardhjen time të thellë, pas ndërhyrjes sot pasdite në Kuvend të Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Komisioni Presidencial ka marrë një vendim për të refuzuar ftesën e Kryeministrit për një darkë pune” thueht në një njoftim në e-mail të Aleksander Pociej.
Këtë denoncim e ka bërë deputeti i PD, Belind Këlliçi, i cili thotë se shkak për anulimin e ftesës është bërë “fjala e turpshme, arrogante dhe me tone fyese” e kryeministrit Rama, teksa paraqiti rezolutën kundër raportit të Dick Marty për pretendimet e paprovuara për krime lufte nga liderët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.
Kujtojmë që kryeministri Edi Rama kërkoi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës që të rrëzonin akuzat kundër Kosovës dhe të pranojnë kërkesën e Shqipërisë, për një raport vijues ndaj atij të Dick Marty-t. Kreu i Qeverisë kërkoi rishikimin e Rezolutës 1782 (të miratuar në vitin 2011) për raportin e Dick Marty, për t’i shpallur të pabazuara akuzat e tij për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës së fundit në Kosovë.