Sot u publikuan pamjet e përleshjes së 16 korrikut të vitit të kaluar, në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, ku një grup i të rinjve janë rrahur mes vete, në mesin e të cilëve edhe djali i një zyrtari policor. Rion Hamiti, djali i policit Halim Hamiti, edhe pse ishte përfshirë në incident, kishte shpëtuar duke u intervistuar vetëm si rast. Kjo është konfirmuar edhe nga Prokuroria, teksa vet polici, në një prononcim për Sinjali ka dhënë deklarata të ndryshme.
Halim Hamiti është kontaktuar nga Gazeta Sinjali lidhur me këtë rast dhe i njëjti fillimisht e ka mohuar se djali i është përfshirë në rast, e më pas ka thënë se mund të jetë edhe nipi i tij, për shkak të ngjashmërisë së madhe, që siç tha ai, e ka me të birin e tij.
Zyrtari policor Hamiti nuk kishte konsistencë as për detajet e rastit. Ndonëse tha se nuk ka informacione “kurrgjë” , më pas e konfirmoi se rasti ka përfunduar.
“Rasti nuk është nën hetime rasti, si rast është kry. Nuk është djali jem, nuk është djali. Nuk jom konë në rast e as nuk e di. Munesh me pytë kush u konë aty. Nashta e kanë pasë videon. Lypni prej Prokurorisë more. Unë s’jom konë në rast, s’jom konë në punë atë ditë.“ – tha ai.
Pas disa thirrjeve nga ana e redaksisë, Hamiti tha se nuk po arrin ta identifikojë të birin e tij, duke ia drejtuar gishtin djalit të vëllait, që tha se ka qenë po ashtu aty.
“Të lutem a ka mundësi mos me më pengu se jom t’u u marrë me një rast në Vërmicë. Nuk kom kohë. Të tregova që djali i vëllait është identifik me djalin tem, nuk po muj me pa që është qiky djali jem. Ky mun me konë shumë ma shumë djali i vëllait se djali jem. Si binjakë janë…identikë shumë.”
Ndërsa kur u pyet se a ka ndikuar ai që djali i tij të intervistohet si dëshmitar, polici Hamiti u përgjigj shkurt, pa u specifikuar nëse ka ndërhyrë në rast.
“Nuk jom konë në punë oj zojë. Nuk kom ditë kurrgjë as nuk di hala.” – përfundoi ai.
Çka dihet për rastin?
Disa burime kanë bërë me dije se ndaj Rion Hamiti është kërkuar që të mos iniciohet rast, jo sepse nuk ka elemente të veprës penale, por, sipas tyre, për shkak se është djali i policit Halim Hamiti.
Ky i fundit po dyshohet se ndikoi në këtë rast, duke ndërhyrë që i biri të intervistohej si dëshmitar dhe jo si i dyshuar, pa e dëshmuar përfshirjen ose jo të tij në sherrin që plasi mes disa të rinjve më 16 korrik 2023.