Një rast i rëndë ka ndodhur sot në familjen Bajrami nga Klina, ku një foshnje 2 muajshe u dërgua pa shenja jete në spital dhe sipas informacioneve të para dyshohet se është ngufatur. Për rastin tashmë kanë nisur edhe hetimet.
Kështu kanë bërë me dije burimet e Sinjalit brenda Emergjencës, me ç’rast njoftuan se foshnja është dërguar në Spitalin e Pejës nga nëna e saj për kontroll mjekësor, pasi dyshohej se s’kishte shenja jete.
Pas ekzaminimeve për shenja vitale, ekipi mjekësor e ka konfirmuar se foshnja fatkeqësisht ka humbur jetën.
Të njëjtat burime thonë se sipas dyshimeve që janë ngritur deri më tani, fëmija ka vdekur si pasojë e asfiksisë.
Lidhur me rastin është njoftuar menjëherë Policia, ndërkohë që në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse.
Lajmin për Gazetën “Enigma” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Sot rreth orës 08:30, Policia është informuar se një foshnje është dërguar në spitalin rajonal për kontroll mjekësor, dhe nga mjeku kujdestar është konstatuar se foshnja ka arritur në spital pa shenja jete”, tha Rugova.
Ai shtoi se rasti cilësohet “Hetim i vdekjes”.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat.