Fotoreporteri i luftës Alban Bujari sjell dëshmi të masakrës së Rogovës

Fotoreporteri i luftës Alban Bujari sjell dëshmi të masakrës së Rogovës

Në 24-vjetorin e Masakrës së Rogovës së Hasit, fotoreporteri i KOHËS, Alban Bujari, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ka hapur ekspozitën me fotografi të kësaj masakre.

Në ekspozitën e titulluar “Erë gjaku” u shfaqën fotografi të shkrepura atë ditë nga Alban Bujari, i cili ka thënë se me fjalë nuk mund t’i përshkruajë pamjet e rënda që kishte parë.

“Ndjeva që titulli ishte në ajër “erë gjaku” që e kujtoj ende. Nuk ka qenë lehtë as atëherë, as tash. Madje më kujtohet që çizmet që i kam pas mbathur atë ditë, nuk i kam mbathur më kurrë, sepse nuk kam ditur në gjak të kujt kam shkelur”, ka thënë Bujari.

Sadik Krasniqi, shef i sektorit të historisë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, ka thënë se kjo ekspozitë dokumenton mizorinë e Serbisë në Kosovë.

“Okupatori gjakatar, barbar, për së vdekuri i masakroi ata, ua këputi gjymtyrët, e çka jo tjetër. Prandaj kjo ditë sot shënohet si ditë e dhimbjes por edhe e krenarisë, si ditë që okupatori serb në vijimësi ka bërë masakra, krime të ndryshme monstruoze në shkallë gjenocidiale”, ka thënë Krasniqi.

E Nehat Islami, veteran i gazetarisë, ka treguar për vështirësitë e raportimit gjatë kohës së luftës në Kosovë.

“Albani dhe kolegët e tij, duke mos kursyer jetën e tyre gjendeshin në vendet e krimeve serbe në kohën e duhur, duke u kamufluar shpesh edhe si qytetarë rasti ose si punëtorë humanitarë, por edhe si gazetarë, gjeturia e tyre shpesh ua shpëtoi jetën”, ka thënë Islami.

Ekspozita u përkrah nga Ministria e Kulturës dhe do të qëndrojë e hapur dy javë në ambientet e Lapidariumit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Related Articles