Franca po përpiqet të kufizojë përdorimin e një huaje prej 90 miliardë eurosh nga Bashkimi Europian, e cila është destinuar për Ukrainën, duke kërkuar që fondet të përdoren vetëm për prodhimet europiane të armëve.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka argumentuar se mbështetja e BE-së për Ukrainën duhet të përdoret për të fuqizuar industrinë europiane të mbrojtjes dhe për të promovuar pavarësinë strategjike nga Shtetet e Bashkuara, raporton The Telegraph.
Megjithatë, Gjermania dhe Holanda kanë shprehur shqetësime, duke thënë se një kufizim i tillë mund të pengonte dorëzimin e armëve të rëndësishme për mbrojtjen e Kievit, përfshirë sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot.
Shtetet anëtare dhe Komisioni Europian janë duke diskutuar aktualisht detajet e huas, e cila u miratua nga liderët e BE-së në dhjetor. Blloku vendosi t’ia huazojë paratë drejtpërdrejt Ukrainës, pasi dështoi të arrijë një marrëveshje për përdorimin e aseteve të ngrira ruse si një “hua riparimi”.
Një zyrtar i lartë i BE-së i ka thënë The Telegraph se huaja e planifikuar favorizonte dorëzimin e armëve, duke marrë parasysh se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ishte i gatshëm të ndalonte luftën.
Sipas versionit më të fundit të planit, dy të tretat e huas prej 90 miliardë eurosh do të shpenzohen për furnizimin me armë të Ukrainës, ndërsa fondet e mbetura do të mbulojnë boshllëqet në buxhetin e luftës së vendit.
