Francë: Ishin ndarë së fundmi, shqiptari vret ish-partneren

Francë: Ishin ndarë së fundmi, shqiptari vret ish-partneren

Një shtetas shqiptar është shpallur në kërkim nga autoritetet franceze pasi akuzohet për vrasjen e ish-partneres gjeorgjiane në qytetin Mulhouse (Haut-Rhin).

Shqiptari, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik, nuk ka precedentë penale dhe është i panjohur për policinë franceze, njoftoi Prokuroria e Mulhouse më 28 tetor.

Viktima, një grua 33-vjeçare e lindur në Gjeorgji, punonte si banakiere në një bar lokal. Ajo u godit me thikë për vdekje më 25 tetor, në momentin që po hapte lokalin e punës. Sipas hetimeve paraprake, ajo kishte jetuar për tre vjet me autorin e dyshuar, nga i cili ishte ndarë prej pak kohësh.

Prokuroria dyshon se motivi i ngjarjes lidhet me xhelozinë dhe refuzimin e ndarjes, një faktor i përmendur shpesh në rastet e femicidit. Shefi i saj, Farouk Tas, i cili mbërriti i pari në vendngjarje, tha për France 3 Grand Est:

“Ajo ishte si vajza ime. Ishte një grua e jashtëzakonshme. Jemi në shok, pamë gjithçka me sytë tanë. Jemi të shkatërruar.”

Një autopsi e trupit të viktimës pritet të kryhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Strasburgut, ndërsa po rishikohen kamerat e sigurisë për të zbardhur çdo detaj të ngjarjes.

Related Articles