Mesditën e sotme, ekipet e specializuara të zhytësve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë gjetur trupin e pajetë të personit që ishte raportuar i zhdukur një ditë më parë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani. Ai njoftoi se trupin e pajetë e gjetën rreth orës 12:45, gjatë kërkimeve intensive në pendën e fshatit Livoq.
“Sot, më datë 28.11.2025, gjatë vazhdimit të kërkimeve, ekipet e specializuara të zhytësve të FSK-së arritën të gjejnë trupin e pajetë të personit të zhdukur më 27.11.2025. Vdekjen e tij në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor,” tha Osmani.
Në përputhje me vendimin e Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
