Forca e Sigurisë së Kosovës sot ka nisur stërvitjet në parkun e Gërmisë për një marshim kondicional.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka publikuar pamje të tyre derisa po marshonin në shtegun e parkut.
“Ecja ime e zakonshme në Gërmi sot mori një energji krejt tjetër – një pjesë të rrugës e bëra së bashku me kadetët e Akademisë Ushtarake të FSK-së, oficerët e ardhshëm që po realizonin marshin kondicional 13 km “Shtegu i Lavdisë”. Disiplina dhe përkushtimi i tyre janë frymëzim i vërtetë”, ka shkruar Maqedonci.
Për këtë stërvitje të FSK-së dje njoftoi edhe Komuna e Prishtinës, e cila tha se qytetarët që do t’i shohin pjesëtarët e FKS-së në Gërmi s’kanë arsye për shqetësim meqë ky është një aktivitet i rregullt i tyre.
“Ju njoftojmë se FSK – Forca e Sigurisë së Kosovës, bazuar në planin e saj të stërvitjeve, më 15 nëntor 2025 do të realizojë një stërvitje ushtarake, marshim kondicional në zonën e Gërmisë. Gjatë kësaj periudhe do të ketë lëvizje të këmbësorisë dhe prani të pjesëtarëve të FSK-së në terren. Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të planit të rregullt stërvitor dhe nuk ka arsye për shqetësim”, tha dje kryeqyteti.
