Në fund të muajit, Forca e Sigurisë së Kosovës mbyll konkursin për rekrutimin e 60 ushtarëve aktivë nga radhët e komuniteteve joshumicë, mundësi e sfidë kjo për t’i shërbyer atdheut. Për secilin të ri e të re të interesuar, nga mosha 18-25 vjeç, këto ditë mbeten mundësia e fundit për të aplikuar. Deri më tani, rreth 50 kandidatë nga radhët e komuniteteve joshumicë kanë dorëzuar aplikimet e tyre për t’u bërë pjesë aktive e FSK-së.
Shtyrja e afatit të aplikimit deri më 31 tetor, sipas këshilltarit për Komunitete në Ministrinë e Mbrojtjes, Asllan Kryeziu, ka për qëllim t’u japë më shumë kohë kandidatëve të interesuar.
“Unë i ftojë gjithë pjesëtarët e komuniteteve të aplikojnë të bëhen pjesë e një institucioni që ka besueshmërinë më të lartë më në vend siç është FSK”, tha Asllan Kryezi, këshilltar për Komunitete në Ministrin e Mbrojtjes.
Kryeziu ka thënë se duke parë që përqindja e përfaqësimit të komunitetit në FSK ka pësuar një rënie një konkurs i tillë është më se i pritshëm. Ndaj, nënvizon ai, kjo është një mundësi për të rinjtë që të kontribuojnë me nder në shërbim të vendit dhe të përfaqësojnë komunitetet e tyre brenda një institucioni me besueshmëri të lartë.
” Kemi parë të arsyeshme që të hapmi një konkurs të veçantë vetëm për komunitetet këtë rast për 60 pjesëtarë nga komunitetet që edhe gara të jetë më e lehtë dhe në të njëjtën kohë edhe gjithë ato prurje që vinë brenda forcës ndikojnë drejtpërdrejt në ngritjen e përqindje e pjesëtareve të komuniteteve brenda FSK”, tha Kryeziu.
Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë të interesuarve nga radhët e komuniteteve, e në veçanti grave, që të aplikojnë, për t’u bërë pjesë të Forcës së Sigurisë së Kosovës./RTK/
