Fundi i aventurës nëntë mujore, ky ishte bilanci i Prishtinës nën urdhrat e Munishit

Fundi i aventurës nëntë mujore, ky ishte bilanci i Prishtinës nën urdhrat e Munishit

Ismet Munishi e ka përfunduar aventurën nëntë mujore si kryetrajner i skuadrës së Prishtinës.

FC Prishtina para pak çastesh ka njoftuar zyrtarisht se ka shkarkuar trajnerin e mirënjohur kosovar për shkak të mungesës së rezultateve të mira në ndeshjet e fundit.

Trajneri 48-vjeçar mori drejtimin e “bardhekaltërve” në më 9 qershor kur u prezantua zyrtarisht me një video madhështore.

“Djali i Kryeqytetit”, siç ia dha epitetin vetes, Munishi regjistroi 26 ndeshje zyrtare me Prishtinë, përfshirë edhe një në Kupën e Kosovës.

Ndonëse drejtimin e skuadrës e mori në një kohë të vështirë për klubin, Prishtina pas 25 ndeshjeve këtë edicion në elitën e futbollit kosovar është në vendin e katërt me 32 pikë, pozitë kjo që mund të sigurojë garat evropiane.

Ekipi nga “Fadil Vokrri” regjistroi tetë fitore, tetë barazime dhe nëntë humbje këtë edicion deri më tani.

Nën urdhrat e Munishit, futbollistët kryeqytetas shënuan 31 gola dhe pësuan 27 sosh.

Skuadra më e trofeshme e futbollit në Kosovë gjithashtu është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës. Aty Prishtina luan kundër Ballkaniit këtë mesjavë.

Munish përveç Prishtinës, karrierë ka bërë edhe në disa top skuadra kosovare. Drita, Gjilani, Ballkani ishin disa nga ekipet që ai drejtoi viteve të fundit.

Related Articles