Fushë Kosova ka shënuar fitore me rezultat 2-0 ndaj Lirisë, në kuadër të javës së 11-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Vendasit kishin tri ndeshje pa fitore, teksa paraprakisht fitoren e parë e kishin arritur ndaj Gjilanit në sfidën hapëse të Superligës.
Pjesa e parë i takoi mysafirëve që rrezikuan në disa raste portën përmes Festim Alidemës dhe Prins Tijuezas por pa arritur të gjenin dot rrugën e rrjetës.
Fushë Kosova të vetmin rast për gol në pjesën e parë e pati nga rivënia këndorë por gjuajtja me kokë e Ivkic ishte e pasaktë.
Me rezultatin e pastër 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Pjesa e dytë i takoi Fushë Kosovës që morën ‘frenat’ e ndeshjes dhe kaluan fillimisht në avantazh në minutën e 59-të pas golit të Ivkic që realizoi për 1-0.
Vetëm dhjetë minuta më vonë, vendasit dyfishuan epërsinë kësaj radhe me anë të Osman Mëziut që shënoi për 2-0.
Ata patën mundësinë të shënojnë edhe golin e tretë, por goditja e Urim Statovcit shkoi pranë shtyllës.
Kjo ishte vetëm fitorja e dytë për Fushë Kosovën këtë edicion në elitën e futbollit, teksa Liria zhytet edhe më thellë në krizë, pasi nuk kanë fituar në nëntë ndeshjet e fundit.