Në Nyon të Zvicrës është tërhequr shorti për kualifikimet e Kupës së Botës “Zelanda e Re – Australia 2023” për Kombëtaret e femrave.
51 ekipet pjesëmarrëse në këto kualifikime janë ndarë në 9 grupe, gjashtë grupe me nga 6 ekipe dhe tri grupe me nga 5 ekipe.
Kosova u përfshi në grupin F, ku bënë pjesë edhe Shqipëria, ndërkaq pjesë e këtij grupi janë edhe Norvegjia, Belgjika, Polonia dhe Armenia.
Ndeshjet e këtij cikli kualifikues fillojnë në shtator të këtij viti, derisa përfundojnë në shtator të vitit 2022.
Ndeshjet luhen me sistem vajtje-ardhje.
Fituesit e 9 grupeve kualifikohen direkt në Botërorin 2023, derisa skuadrat e renditura në pozitën e dytë do të luajnë në “play-off” për t’u përcaktuar dy ekipet e tjera që do të kualifikohen në Botëror.