G20-ës i kërkohen 75 miliardë dollarë për t’u përgatitur për pandeminë e ardhshme

G20-ës i kërkohen 75 miliardë dollarë për t’u përgatitur për pandeminë e ardhshme

Një panel i ekspertëve u ka thënë ministrave të financave të shteteve të G20, ku bëjnë pjesë vendet e pasura, që Covid-19 ndoshta është vetëm një nga pandemitë e rrezikshme që mund të shfaqen në të ardhmen dhe se qeveritë duhet të gjejnë 75 miliardë dollarë në 5 vitet e ardhshme për t’u përgatitur për këtë.



Në një raport për takimin e Grupit G20 në Venecia, paneli tha se 15 miliardë dollarë investime në vit, të cilat u rekomanduan, janë dyfishi i shpenzimeve të tanishme, por të neglizhueshme në krahasim me koston e përhapjes së mundshme të një sëmundjeje tjetër, shkruan Reuters.

“Aspekti ekonomik i këtyre investimeve shtesë është i jashtëzakonshëm”, tha ish-sekretari amerikan i Thesarit, Lawrence Summers, i cili ishte pjesë e panelit me 23 anëtarë, ku mori pjesë edhe shefja e Organizatës Botërore të Tregtisë, Ngozi Okonjo-Iweala.

Summers i tha agjencisë Reuters në një intervistë se ai është optimist që rekomandimet e raportit do të zbatohen dhe se nuk do të ngurrojë që ta ngrisë zërin, nëse një gjë e tillë nuk ndodh.

“Shpenzimi i dhjetëra miliarda dollarëve do të mund të shpëtonte dhjetëra trilionë”, tha ai.

Për t’i mbuluar boshllëqet e konsiderueshme në fushën e përgatitjes për pandemi, paneli identifikoi katër aspekte kryesore ku duhet të merren masa: vëzhgimi i sëmundjeve ngjitëse, përforcimi i sistemeve shëndetësore kombëtare, furnizimi me vaksina dhe qeverisja globale.

Related Articles