Shtetet e grupit G7 i kanë dënuar referendumet që po mbahen në rajone të Ukrainës për të vendosur nëse do t’i bashkohen Rusisë.
G7, përmes një deklarate të lëshuar të premten në mbrëmje, tha se votimet e organizuara nga Moska shkelin Kartën e OKB-së, ligjin ndërkombëtar dhe nuk kanë legjitimet.
Zyrtarët perëndimorë thonë se e gjithë kjo është një propagandë dhe rezultati i tyre veçse është vendosur nga Kremlini.
Po ashtu, ata thanë se këto referendume mund të përdoren si shkas nga Moska që ilegalisht të marrë territorin ukrainas. Por, Rusia thotë se po iu japin mundësi njerëzve në zonat e pushtuara që të shprehin pikëpamjet e tyre.
Në anën tjetër, banorët e këtyre zonave thonë se forcat ruse po shkojnë derë më derë, duke kërcënuar dhe frikësuar njerëzit që të votojnë. Kurse, zyrtarët ukrainas thonë se popullatës së këtyre zonave iu është ndaluar që të largohen.
Rusia filloi të premten t’i pyesë njerëzit në rajonet e Donetskut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhzhias nëse duan të bashkohen me Rusinë, në një përpjekje për të zyrtarizuar aneksimin e katër zonave.
Referendumet e vetëshpallura do të zhvillohen për pesë ditë.