Interi ka fituar një nga përballjet më dramatike të sezonit, duke mposhtur Juven me rezultatin 3-2 në Derby d’Italia falë golit vendimtar të Zielinskit në minutën e 90-të, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në Serie A.
Nerazzurrët kaluan në epërsi në minutën e 17-të, kur krosimi i Luis Henrique u devijua nga Cambiaso në rrjetë, duke e mposhtur portierin Di Gregorio. Vetë Cambiaso u shpagua pas nëntë minutash, duke barazuar 1-1 pas një krosi të McKennie.

Interi goditi dy herë shtyllën, por momenti më i diskutueshëm erdhi në minutën e 42-të: Kalulu, tashmë i ndëshkuar me të verdhë, u përjashtua pas një ndërhyrjeje ndaj Bastonit, edhe pse pamjet e treguan se nuk pati kontakt. VAR nuk mundi të ndërhynte dhe Juventusi mbeti me dhjetë lojtarë për gjithë pjesën e dytë.
Me epërsinë numerike, Interi e thelloi presionin dhe në minutën e 76-të gjeti golin e dytë me një goditje të saktë me kokë të Espositos pas asistit të Dimarcos. Juventusi reagoi menjëherë: në minutën e 83-të, gjuajtja e Locatellit nga këndi befasoi Sommerin dhe barazoi shifrat 2-2.
Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, Zielinski goditi nga distanca në minutën e 90-të, duke e kaluar topin në cepin e portës së Di Gregorios dhe duke ngritur në këmbë “San Siron”.
Me këtë fitore, Interi rikthen epërsinë prej tetë pikësh ndaj Milanit, ndërsa Juventusit i ikën rezultati në sekondat e fundit, pas një pjese të dytë heroike me një lojtar më pak.
Ndeshja pritet të mbahet mend gjatë, sidomos për episodin e kartonit të kuq që ka ndezur debatet në futbollin italian.
