Tekniku më i ri i PSG-së, Galtier, duket se ka një punë të rëndësishme për të bërë para se të fillojë sezoni i ri i kampionatit francez.
Galtier e ka të qartë në kokën e tij se cilët lojtarë do të mbajë dhe cilët do të largojë. Sezonin e kaluar, skuadra franceze kishte 35 lojtarë në listën e tyre, gjë e cila u quajt anomali dhe ndikoi shumë në ecurinë e skuadrës. Christophe Galtier dhe drejtori sportiv, Luis Campos, po përveshin mëngët për të sistemuar skuadrën e tyre nga të padëshiruarit.
Draxler dhe Icardi nuk bëjnë pjesë në formacionin titullar të PSG dhe Galtier do të ishte i lumtur nëse do t’i shiste në ndonjë klub tjetër.
Kehrer u ble për 38 milionë euro nga Shalke dhe mendohet se mund të paketojë valixhet. Diallo gjithashtu, pasi dëmtimet e tij të shumta nuk kanë rezultuar pozitive për mbrojtësin. Nëse PSG arrin të firmosë me Skriniar nga Interi, dy mbrojtësit e lartëpërmendur do të prenin biletën për ndonjë ekip tjetër. Kurzawa gjithashtu është një i padëshiruar por ai nuk pranon të largohet nga klubi, gjithashtu nuk ka ende një ekip të interesuar për të.
Ardhja e Vitinha në repartin e mesfushës për 40 milionë euro, ka bërë që Paredes, Wijnaldum dhe Ander Herrera të paketojnë valixhet. Sidomos nëse objektivi i radhës, Renato Sanches arrinë të transferohet nga Lille te PSG.