Analisti politik Visar Ymeri ka vlerësuar se gara për kryetar të Prishtinës mbetet e hapur dhe shumë e mundshme që të shkojë në balotazh.
Sipas Ymerit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku, përballet me një sfidë të veçantë pasi perceptohet si përfaqësues i Qeverisë, e cila në të kaluarën ka bllokuar projekte të rëndësishme për kryeqytetin.
“Në Prishtinë ka garë, absolutisht ka balotazh. Mendoj që Përparim Rama është i pari, dhe krahasuar me vitin 2021, konfidenca e tij në debate është shumë më e madhe. E dyta, Hajrullah Çeku mund të ketë ndonjë paraqitje të mirë; nuk e përjashtoj, Çeku nuk është njeri jo elokuent. Por qytetarët e Prishtinës duhet të mbajnë mend se Çeku ka qenë përfaqësues i Qeverisë që ka bllokuar projekte të rëndësishme për qytetin,” tha Ymeri në emisionin Debat Plus.
Ai shtoi se Qeveria e kaluar nuk ka ditur të zhbllokojë projektet dhe se, sipas tij, Çeku mund të tentojë të përsërisë të njëjtin model bllokade në nivel komunal.