Gara automobilistike u bë shkak për vdekjen e tre personave.
Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së shtunës , në autostradën “Ibrahim Rugova”, në dalje të Prizrenit.
E organizimet e tilla ilegale, po konsiderohen shqetësuese.
Sipas Valon Mehmetit, nga grupi Marakli t’kerreve, organizimet e tilla bëhen goxha shpesh.
Ai në Info Magazine në Klan Kosova tha se rreth garave automobilistike informacione ka shpesh edhe policia, por se në shumë raste ato neglizhohen.
“Nuk merren direkt me çështjen e garave, edhe për pasojë vjen deri tek aksidenti me fatalitet. Më shqetësuese, janë shikuesit rreth autostradës sepse më problematike është me ndjekë garën edhe me e ndalë”, tha Mehmeti në Klan Kosova.
Dyshohet se deri tek aksidenti erdhi pasi gjatë garës ilegale, një nga vozitësi humbi kontrollin mbi veturën e tij dhe i goditi disa nga shikuesit që po e ndiqnin garën.
Si pasojë e kësaj, tre të rinj vdiqën dhe tre persona të tjerë u lënduan.
Lidhur me rastin janë arrestuar ngasësit që po e zhvillonin garën.
Sot, Gjykata Themelore e Prizrenit ndaj tyre mori vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.